Njoftim publik

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 16.10.2019

Dokumente

Përmbledhje

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 58, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Muçi, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Gjatë seancës së sotme, trupi gjykues u njoh me qëndrimet e palëve mbi dokumentin e deklasifikuar të DSIK-së, të dërguar në Institucionin e Komisionerëve Publikë pas depozitimit të ankimit. Komisioneri Publik deklaroi se nga shqyrtimi i përmbajtjes së informacionit, të përcjellë nga DSIK-ja, për personat e tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit, rrethanat dhe faktet e paraqitura mund të shërbejnë në vlerësimin tërësor të çështjes dhe të procedurave rivlerësuese të subjektit të rivlerësimit. Komisioneri Publik parashtroi se ky informacion, bazuar edhe në marrëdhëniet e pranuara nga subjekti i rivlerësimit për një interes kontraktual pasuror mes tij dhe personit, të proceduar penalisht, mund të shërbejë si rrethanë dhe argument, se subjekti i rivlerësimit mund të vihet lehtësisht nën presionin e strukturave kriminale, në referim të nenit 37, germa “c”, të ligjit nr. 84/2016.