Projekti
Akses Drejtësi Albania është një databazë me informacion të mirë strukturuar mbi procedurat dhe individët që po promovohen në sistemin e drejtësisë pas Reformës dhe Paketës Ligjore për Reformim të miratuar në vitin 2016.
Databaza po krijohet dhe mirëmbahet nga organizata AIS, e njohur si promotore e të dhënave të hapura (open data) dhe transparente në Shqipëri.
Akses Drejtësi Albania, përmes informacionit dhe dokumenteve të lehta në aksesim, ka për qëllim të prezantojë mirë dhe drejt produktin dhe rezultatet e Reformës. Informacioni krijon garanci për transparencë mbi sektorin. Funksionimi i këtij portali informativ do të nxisë kontrollin publik mbi integritetin e institucioneve dhe individëve pjesë e sistemit.
Në këtë portal çdo institucion i sistemit ka katalogun e plotë të akteve dhe dokumenteve që lidhen me produktin e tij. Po njësoj, për secilin gjyqtar, prokuror apo anëtar të sistemit është përgatitur një pasaportë me informacion dhe dokumente për karrierën, aftësitë, integritetin dhe proceset e vetëdeklarimeve sipas kërkesave të ligjit. Veç dokumenteve me autor institucionet, në databazë janë të aksesueshme edhe raporte monitorimi të organizatave lokale që po ndjekin procesin.
Qëllimi i databazës është të vendosë në një portal të vetëm një gamë të gjerë dhe të plotë informacioni, shoqëruar me dokument, duke lehtësuar procesin e aksesimit dhe informimit për këdo. Po kështu, databaza është e aksesueshme edhe përmes makinave dhe filtrave të kërkimit. Informacioni i vendosur në këtë databazë është informacion për të cilin sektori publik ka detyrim të krijojë instrumente të aksesit në publik. Kjo iniciativë synon edhe të sfidojë modelet jo fort transparente dhe konsistente të publikimit të informacionit dhe dokumentit zyrtar.
Me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
Për çdo detaj mbi Akses Drejtësi Albania kontaktoni info@ais.al.