Emri i subjektit të rivlerësimit: z.Adrian Shega, Ish-këshilltar ligjor, në Gjykatën e Lartë/ Kandidat për magjistrat
Seanca për rivlerësimin e subjektit Adrian Shega, Ish-këshilltar ligjor, në Gjykatën e Lartë dhe aktualisht Kandidat për magjistrat, u zhvillua në respektim të
parimit për një proces të rregullt ligjor. Rezultoi se subjekti ishte njohur me rezultatet e hetimit të KPK-së me 3 janar dhe katër ditë më pas kishte paraqitur shpjegimet e tij, të cilave u qëndroi edhe në seancë.
Seanca dëgjimore nisi sipas njoftimit, në orën 10.30 minuta dhe zgjati për afro 35 minuta.
Në lidhje me parimin e publicitetit të gjykimit, rezulton se është respektuar.
Data, vendi, dhe ora e zhvillimit të seancës dëgjimore u njoftuan paraprakisht, në faqen zyrtare të KPK-së.
Seanca ishte e hapur për të interesuarit, që mund ta ndiqnin atë, pas shënimit të gjeneraliteteve në hyrje të sallës. Mediave po ashtu, u ishte krijuar hapësira e nevojshme, për ndjekjen e seancës.
Kamerat u lejuan të xhironin vetëm gjatë hapjes së seancës, ndërkohë gazetarëve iu bë me dije nga kryetarja e trupit gjykues, se mund të përcjellin informacion përmes mesazheve telefonike gjatë gjithë seancës. Seanca u hap nga kryetarja e trupit gjykues, më pas relatoi çështjen anëtari Lulzim Hamitaj.
Subjekti shprehu dakordësinë lidhur me rezultatet e hetimit të KPK-së. Kundrejt subjektit, nuk pati pyetje nga anëtarët e trupit gjykues, apo nga vëzhguesi i OMN-së.