Reporter.al 03.07.2020

KPA vulos largimin e gjyqtarit Arben Zefi nga sistemi i drejtësisë

KPA vulos largimin e gjyqtarit Arben Zefi nga sistemi i drejtësisë
Në unanimitet, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të KPK për shkarkimin nga detyra të ish-kryetarit të Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi, lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të ish-kryetarit të Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi.

Në njoftim thuhet se trupi gjykues i KPA, i përbërë nga Luan Daci kryesues, Albana Shtylla relatore, Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Natasha Mulaj anëtarë, pasi gjykuan në dhomë këshillimi ankimin e ish-gjyqtarit Arben Zefi kundër vendimit KPK, vendosën në unanimitet largimin e tij përfundimtar nga sistemi i drejtësisë.

KPK vendosi më datë 10 janar 2019 shkarkimin nga detyra të Arben Zefit, pasi u identifikuan probleme me pasurinë dhe konflikt interesi. Komisioni gjeti deklarim të pasaktë dhe mungesë të burimeve financiare për një apartament 132,8 m2 në Shkodër. Gjithashtu, u gjet se ai kishte përfituar në kundërshtim me ligjin një tjetër apartament në vitin 2001, si i pastrehë.

Problematike për Zefin rezultuan edhe makinat që ai kishte në përdorim apo në posedim. Sipas KPK, një prej makinave u sekuestrua nga policia sepse rezultoi e vjedhur.

Burimi: Reporter.al