Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mungesë burimesh të ligjshme për tre ngastra toke që zotëron gjyqtari Bib Ndreca, për blerjen e të drejtave reale të një apartamenti dhe një Benzi të dhuruar nga vëllezërit. Për krijimin e këtyre pasurive, Ndreca kishte deklaruar si burime krijimi të ardhura nga vëllezërit nga emigracioni dhe aktiviteti privat dhe një hua 5.5 milionë lekë të marrë po prej tyre. Ndreca i kundërshtoi gjetjet e Komisionit dhe kërkoi rishikimin e analizës financiare.
Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Bib Ndreca u përball të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore u identifikuan probleme vetëm për kriterin e pasurisë, për të cilat dha shpjegime dhe tha se kishte dorëzuar dokumente provuese. Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimin për gjyqtarin Ndreca përbëhet nga Xhensila Pine kryesuese, Pamela Qirko relatore dhe Etleda Çiftja anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonçi Petkoviç.
Në seancën dëgjimore të 26 shkurtit 2020, Ndreca kërkoi më shumë kohë për përgatitjen e mbrojtjes dhe rihapjen e hetimit për dy kriteret e tjera, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin. Kryesuesja Xhensila Pine sqaroi se ishte pranuar kërkesa e gjyqtarit Ndreca dhe se hetimi administrativ ishte përfunduar në të tri kriteret e rivlerësimit.
Gjyqtari Bib Ndreca ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe është emëruar fillimisht gjyqtar në Gjykatën e Tropojës. Në vitin 2013, ai është emëruar kryetar i Gjykatës së Pukës, ndërsa në vitin 2015 është dekretuar si anëtar i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Burimi: Reporter.al