Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 10 Qershor 2022
Dokumente
-
pdf
Dokumenti kryesorDokumenti kryesor · 154.1 KB
Përmbledhje
Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi sot më datë 10.06.2022, mbledhjen plenare dedikuar “Hartës së Re Gjyqësore”.Në këtë mbledhje të veçantë, Këshilli miratoi raportin vlerësues përfundimtar të Grupit Ndërinstitucional të Punës mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave.
Miratimi i aktit të “Hartës së Re Gjyqësore” shënon përmbylljen e një pune 3-vjeçare të Grupit Ndërinstitucional të Punës, i cili është mbështetur dhe asistuar intensivisht nga ekspertët e Këshillit të Evropës, EWM dhe INL. Në aktin e miratuar u reflektuan sugjerimet dhe opinionet e adresuara gjatë procesit të konsultimeve publike të organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, nga përfaqësues të dhomave vendore të avokatisë, Prokuroria e Përgjithshme, gjyqtarë dhe nëpunës civil gjyqësorë, si dhe organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit. Në bazë të këtyre konsultimeve GNP vendosi që reforma e “hartës gjyqësore” në Shqipëri të synojë bashkimin e gjykatave më të vogla dhe më pak efikase.
Propozimi mbi “Hartën e Re Gjyqësore” është hartuar duke u bazuar në standardet më të mira ndërkombëtare. Mbështetur në metodologjinë CEPEJ, propozimi mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore krijon një qasje novatore që rrit efiçencën e sistemit gjyqësor për qytetarët, realizon shpërndarjen e drejtë të ngarkesës së punës midis gjykatave dhe gjyqtarëve dhe nxit specializimin, me pasojë reduktimin e kohës së nevojshme për shqyrtimin e një çështjeje e dhënies së një drejtësie më cilësore.