Njoftim publik

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 15 Qershor 2022

Dokumente

Përmbledhje

Sot në datën 15.06.2022, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami e shoqëruar nga zëvendëskryetari z. Ilir Rusi dhe z. Klodian Kurushi, Kryetar i Komisionit të Zhvillimit e Karrierës, prezantoi në seancë dëgjimore “Raportin Vjetor” mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor gjatë vitit 2021, të zhvilluar para Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Znj. Llagami bëri një prezantim gjithëpërfshirës të veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor, rezultateve dhe sfidave kryesore të Këshillit për të ruajtur ritmin e veprimtarisë në kuadër të përmbushjes së kompetencave kushtetuese, ligjore dhe strategjike, por mbi të gjitha për të garantuar funksionalitetin e gjykatave në funksion të ofrimit të shërbimeve gjyqësore për publikun.

Në përfundim të këtij raporti Kryetarja znj. Naureda Llagami iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për “Hartën e re gjyqësore”, duke sqaruar si më poshtë:

“Janë bërë tetë takime konsultimesh publike. Kanë qenë të pranishëm përfaqësues të Dhomave Vendore të Avokatisë. Janë bërë edhe dy takime të tjera me përfaqësues të Shoqërisë Civile. Pas opinioneve që ka marrë grupi i punës, KLGJ ka miratuar raportin vlerësuar mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe gjykatave” deklaroi kryetarja.