img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/12/16

Gjyqtari Florjan Kalaja përballet me vetingun

Gjyqtari Florjan Kalaja u përball të mërkurën me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK në të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Kalajën kryesohet nga Xhensila Pine, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin. Florjan Kalaja ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe është emëruar në të njëjtin vit në Gjykatën e Vlorës. Në vitet 2016-2019, ai ka punuar si ndihmësmagjistrat në Gjykatën e Lartë, ndërsa aktualisht e ushtron funksionin si gjyqtar i deleguar pranë Gjykatës së Apelit Durrës. Paralelisht me punën si gjyqtar, Kalaja është angazhuar si pedagog në disa universitete si dhe është autor i botimeve në fushën e së drejtës civile. Relatori i çështjes, Olsi Komici tha se procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Kalaja kishte nisur në muajin qershor dhe ishte përfunduar në të tri kriteret e rivlerësimit. Për rreth një orë, Komici renditi të gjitha verifikimet e kryera nga Komisioni për pasurinë e gjyqtarit Kalaja, i cili zotëron vetëm një makinë – si edhe për të ardhurat dhe pasurinë e prindërve të tij dhe të bashkëjetueses. Komisioni konstaton pamundësi financiare të gjyqtarit për blerjen e një autoveture tip BMW në vitin 2015, kundrejt shumës 5600 euro. Komici tha se Kalaja e kishte pasqyruar blerjen e mjetit në dy deklarata periodike – në vitin 2014 kur kishte shënuar se mjeti ishte në proces regjistrimi dhe në 2015-ën kur kishte pasqyruar kontratën e shit-blerjes. Si burim krijimi për blerjen e këtij mjeti, Kalaja ka deklaruar të ardhurat e tij nga paga si gjyqtar dhe pedagog, një overdraft në shumën 200 mijë lekë, një kartë krediti në vlerën 100 mijë lekë dhe të ardhura nga shitja e librave. Relatori Komici tha se nga hetimi ka rezultuar se Kalaja nuk kishte paguar detyrimet për përfitimet e siguruara nga shitja e librave. Ai shtoi se të ardhurat nga paga si gjyqtar e tre muajve të parë të vitit 2015 në shumën 264 mijë lekë, 98 mijë lekë të përfituara nga mësimdhënia, oferdrafti dhe karta e kreditit, nuk mjaftonin për blerjen e mjetit. Nga analiza financiare e kryer prej Komisionit ka rezultuar balancë negative në shumën 590 mijë lekë. Gjyqtari Kalaja kërkoi që mundësia financiare për mjetin të analizohej bazuar në të ardhurat e deklaruara ndër vite. Ai pranoi se kishte kryer pasaktësi në mosdeklarimin e kursimeve ndër vite. “Mund të arrihet vetëm në konkluzionin se nuk kam deklaruar saktë burimet”, pohoi ai në seancë. I pyetur nga Komici se pse e kishte deklaruar mjetin dy herë, Kalaja shpjegoi se në mars të vitit 2015, kur ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit të pasurisë për vitin 2014, e kishte blerë mjetin dhe e kishte shënuar se ishte në proces regjistrimi gabimisht. “Në fakt duhej të kisha kryer deklarim vetëm për vitin 2014”, pohoi Kalaja. Komisioni nuk ka gjetur probleme në kontratat e qirasë për dy apartamente në Vlorë dhe Tiranë ku gjyqtari ka jetuar gjatë ushtrimit të detyrës së tij, si edhe për llogaritë bankare të pagave dhe ato të studentit kur ishte duke ndjekur Shkollën e Magjistraturës. Pa probleme kanë rezultuar edhe llogaritë e pagës dhe të studentit të bashkëjetueses së tij. Gjithashtu nuk janë gjetur probleme edhe për një banesë që zotërojnë prindërit në Fushë-Krujë të përfituar nëpërmjet privatizimit në vitin 1993, për një parcelë toke të blerë prej tyre në vitin 2002 në një fshat të Durrësit, si edhe pjesën takuese të një sipërfaqe pylli që i është njohur të atit si ish-pronar. Në seancë u relatua pamundësia e prindërve për blerjen e një makine në vitin 2009 kundrejt vlerës 500 mijë lekë, si burim i të cilës ishte deklaruar një kredi e marrë në vitin 2008. Komici tha se kredia e marrë në vitin 2008 kishte shërbyer për shlyerjen e një kredie të marrë në vitin 2007. Kalaja shpjegoi në seancën dëgjimore se kredia e marrë në vitin 2007 ishte përdorur për blerjen e mjetit dhe se në vitin 2008 ishte veprim për ripërtëritjen e detyrimit. “Është e njëjta kredi dhe është ripërtërirë detyrimi. Është i njëjti burim që ka shërbyer për blerjen e mjetit”, pohoi Kalaja. Komici evidentoi në seancë se prindërit nuk kishin paguar detyrimet për të ardhurat e përfituara prej mësimdhënies në fushën e muzikës. Gjyqtari Kalaja u vlerësua pozitivisht për pastërinë e figurës. Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ ka vlerësuar se gjyqtari Kalaja ka aftësi të mira organizative dhe në arsyetimin ligjor. Gjithashtu, KLGJ ka dhënë vlerësim pozitiv edhe për etikën e subjektit të rivlerësimit. Komici relatoi lidhur me disa çështje të shqyrtuara nga Kalaja. Sipas tij, në një çështje civile të gjykuar nga subjekti, nuk gjendet dokumentacioni që vërteton se psikologu i thirrur ushtron profesionin e tij. Kalaja e kundërshtoi këtë gjetje duke u shprehur se nuk kishte asnjë ligj që përcaktonte se licenca dhe diploma e psikologut duhet të bëhet pjesë e dosjes. “Është gjetje e tepërt”, tha ai. Në vijim, Komici pohoi se ndaj gjyqtarit Kalaja, ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë, KLD ka dhënë tri vërejtje me shkrim, për kryerjen e gjykimit në kapërcim të afatit, një se ka dalë nga seanca për t’u konsultuar kur është kërkuar nga një prej palëve ndërgjyqëse përjashtimi dhe një rast tjetër kur Gjykata e Apelit Vlorë kishte prishur vendimin e marrë prej tij. Kalaja deklaroi në seancë se aktet për tërheqjen e vëmendjes ishin kryer rëndomë nga ish-Kryeinspektori i KLD-së. “Ka një vendim të Gjykatës Administrative të Apelit që konkludon se këto veprime të kryeinspektorit janë të paligjshme”, tha ai dhe shtoi se nuk ka afate sasiore. Relatori Komici renditi edhe disa gjetje për çështje të shqyrtuara prej gjyqtarit Kalaja, ku në një rast është evidentuar se procesverbali i seancës nuk i përmban të gjitha ekstremitetet. Kalaja shpjegoi në seancë se kishte dorëzuar si provë audion e seancës, që sipas tij nuk përputhej me procesverbalin e zbardhur nga sekretarja. “Inspektorët nuk kanë parë dokumentin e duhur”, tha ai duke theksuar se duhej të ishte verifikuar edhe audio e seancës. Gjyqtari Kalaja e kundërshtoi edhe konstatimin tjetër të Komisionit të bazuar mbi një vendim të Apelit Vlorë që kishte ndryshuar vendimmarrjen e subjektit. Komici tha se në një çështje civile ku Avokatura e Shtetit kishte paditur një ish-pronar që edhe pse kishte ndërruar jetë, kishte rezultuar “i gjallë” sipas regjistrave të gjendjes civile. Komisioni evidenton se gjyqtari Kalaja e ka rrëzuar kërkesë padinë duke e konsideruar me të meta, por vendimi i tij është ndryshuar nga Gjykata e Apelit. Kalaja shpjegoi se pavarësisht se i padituri rezultonte i regjistruar në regjistrat e gjendjes civile, nuk mund paditej dhe të gjykohej pasi ishte i vdekur. “Pala kishte vdekur në vitin 2007 dhe ngrihet padia në vitin 2014. Ne e kemi konstatuar edhe në gjykatë se pala kishte ndërruar jetë dhe kjo gjë është vërtetuar me dokumentacion”, tha ai. Në fund të seancës, gjyqtari Florjan Kalaja e falënderoi Komisionin për shpejtësinë e procedurave të procesit të rivlerësimit. “Do kërkoja që të konkludoni se duhet të jem gjyqtar i Republikës së Shqipërisë”, përfundoi ai. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 17 dhjetor, ora 09:30.

*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu