img
    Nga: exit.al datë: 2020/12/16

Komisioni i Ligjeve miraton kandidaturën e Altin Binajt për Gjykatën Kushtetuese

Komisioni i Ligjeve miratoi sot kandidaturën e Altin Binajt për anëtar në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi u mor pasi Binaj doli në seancë dëgjimore para anëtarëve të Komisionit, ku bëri një prezantim të punës së tij dhe objektivave nëse zgjidhet në Gjykatën Kushtetuese. Kandidatura e Altin Binajt u dërgua në Kuvend nga KED në një listë ku ishte vetëm emri i tij. Kjo bën që vendimi i KED të jetë në shkelje e Kushtetutës dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese. KED duhet të hartonte një listë me tre emra që gara të quhet e vlefshme, në të kundërt duhet të njoftonte Kuvendin për të rihapur garën. Pasi kaloi sot në Komisionin e Ligjeve, kandidatura e Binajt do të votohet në Kuvend ditën e enjte që do të jetë dhe seanca e fundit parlamentare për këtë vit. Ambasadorja e SHBA në Tiranë dhe ai i BE kanë bërë thirrje të vazhdueshme që Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale para fundit të këtij viti, si kusht thelbësor për integrimin në BE. Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka 4 anëtarë dhe i duhen edhe dy emërime për t’u bërë funksionale.

*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu