img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/07/03

Gjyqtarja e Apelit Shpresa Beçaj shkarkohet nga detyra

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, shpalli të premten vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Apelit Tiranë, Shpresa Beçaj e cila më parë ka mbajtur pozicionin e kryetares së Gjykatës së Lartë.
Gjyqtarja Beçaj nuk u paraqit në seancën e shpalljes së vendimit ku ishte i pranishëm përfaqësuesi i saj ligjor, avokati Julian Mërtiri.
Trupi gjykues që kreu procesin e rivlerësimit për ish-anëtaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj përbëhej nga Roland Ilia kryesues, Lulzim Hamitaj relator dhe Olsi Komici anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte Elka Ermenkova.
Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni konstatoi se Beçaj nuk kishte ushtruar detyrimin ligjor për dorëzimin e deklaratave të pasurisë, kontrollit të figurës dhe profesionalizmit pranë institucioneve ndihmëse brenda afatit të përcaktuar në legjislacionin “Për Rivlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë”.
Beçaj e konsideroi rastin e saj “unik” duke pretenduar se nuk ishte “gjyqtare në detyrë” për faj të ish-Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLD që nuk e shqyrtoi kërkesën e saj për emërimin në vendin e mëparshëm, pas mbarimit të mandatit 9-vjeçar në Gjykatën e Lartë. Beçaj tha në seancën dëgjimore se kishte shkuar në institucionin e ILDKPKI për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit për pasurinë, por nuk ia kishin pranuar duke i thënë se emri i saj nuk figuronte në listat e gjyqtarëve.
Por, Komisioni evidentoi edhe faktin se ajo, nuk kishte ushtruar as të drejtën për të dorëzuar kërkesën për kryerjen procesit të rivlerësimit në cilësinë e ish-gjyqtarit.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu