Njoftime Publike

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 19.02.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 86, datë 17.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Alma Kolgjoka, gjyqtare/Kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Komisioneri Publik, në parashtrim të shkaqeve të ankimit, kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që, në funksion të hetimit të plotë të kontrollit të pasurisë për subjektin e rivlerësimit znj. Alma Kolgjoka, të cilësojë si person tjetër të lidhur z. S.H dhe të hetohet në drejtim të burimit të ligjshëm të krijimit të pasurisë, apartament me sip.141,87 m2 , në Tiranë.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 18.02.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Cani, magjistrat/prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në parashtrim të pretendimeve përfundimtare, Komisioneri Publik u qëndroi të gjitha shkaqeve të ankimit, pasi në vlerësimin e tij pretendimet dhe provat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit nuk arritën të provojnë të kundërtën e secilit shkak ankimi.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 12.02.2020

Në datën 10.12.2019, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Anita Jella, prokurore/Drejtuese e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës.

Vendimi nr. 221, datë 10.12.2019, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të znj. Anita Jella, iu njoftua Komisionerëve Publikë, më datë 10.2.2020.

Sot, më datë 12.2.2020, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për të tria kriteret e rivlerësimit.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 11.02.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Cani, magjistrat/prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësuesit të tij ligjor, i paraqiti trupit gjykues kërkesë paraprake për pezullimin e gjykimit. Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit pretendoi se, bazuar në nenin 297 të K. Pr. C., gjykimi nuk mund të vazhdonte deri kur Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme të shpreheshin për një procedim penal të regjistruar prej tyre, si dhe Gjykata Kushtetuese të shqyrtonte kërkesat e depozituara nga subjekti i rivlerësimit në lidhje me përfundimin e mandatit të dy anëtarëve të trupit gjykues.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 06.02.2020

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 224, datë 20.12.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Astrit Kalaja, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.

Komisioneri Publik vlerëson, se referuar gjendjes së fakteve dhe provave të administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendimi është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe, për rrjedhojë, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 06.02.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 90, datë 20.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Adnand Kosova, magjistrat/prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Gjatë seancës gjyqësore, Komisioneri Publik iu qëndroi shkaqeve të ankimit dhe, me kërkesë të trupit gjykues, referoi denoncimin nga publiku, të depozituar në Institucionin e Komisionerëve Publikë pas ankimit. Komisioneri Publik njohu trupin gjykues me të dhënat e pretenduara në denoncim për një lidhje farefisnore të subjektit të rivlerësimit me dy persona me precedentë penalë.