Njoftime Publike

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 24.10.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 62, datë 3.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Artur Malaj, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes, vendosi:
1. Ndryshimin e vendimit nr. 62, datë 3.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Artur Malaj, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë.
2. Ky vendim është përfundimtar, me efekt të menjëhershëm

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 22.10.2019

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 173, datë 1.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artan Madani, magjistrat/prokuror, Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kavajë.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe mori në konsideratë rekomandimin e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se, bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, z. Artan Madani, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 16.10.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 58, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Muçi, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Gjatë seancës së sotme, trupi gjykues u njoh me qëndrimet e palëve mbi dokumentin e deklasifikuar të DSIK-së, të dërguar në Institucionin e Komisionerëve Publikë pas depozitimit të ankimit. Komisioneri Publik deklaroi se nga shqyrtimi i përmbajtjes së informacionit, të përcjellë nga DSIK-ja, për personat e tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit, rrethanat dhe faktet e paraqitura mund të shërbejnë në vlerësimin tërësor të çështjes dhe të procedurave rivlerësuese të subjektit të rivlerësimit. Komisioneri Publik parashtroi se ky informacion, bazuar edhe në marrëdhëniet e pranuara nga subjekti i rivlerësimit për një interes kontraktual pasuror mes tij dhe personit, të proceduar penalisht, mund të shërbejë si rrethanë dhe argument, se subjekti i rivlerësimit mund të vihet lehtësisht nën presionin e strukturave kriminale, në referim të nenit 37, germa “c”, të ligjit nr. 84/2016.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 11.10.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 62, datë 3.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artur Malaj, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë.

Komisioneri Publik parashtroi vlerën provuese vetëm mbi ato akte, të cilat sipas tij paraqesin rrethana faktike dhe jo mbi pjesën tjetër të akteve që janë në kushtet e interpretimeve ligjore, dhe për të cilat Komisioneri Publik kërkoi të mos merren parasysh nga trupi gjykues i Kolegjit.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 03.10.2019

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 183, datë 19.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Petrit Çano, me detyrë prokuror/Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Krujë.
Komisioneri Publik mbështetur në kompetencën e tij kushtetuese dhe ligjore, nga shqyrtimi i vendimit nr. 183, datë 19.7.2019, dhe provave të administruara nga Komisioni, vlerëson se ato janë të pamjaftueshme për të vendosur konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 03.10.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 62, datë 3.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artur Malaj, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë.

Gjatë seancës së sotme, Komisioneri Publik parashtroi dakordësinë e tij për analizën e situatës financiare të subjektit të rivlerësimit, për periudhën 2003-2016, kryer nga Njësia Ligjore, pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.