Njoftime Publike

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 26.04.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 32, datë 5.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, znj. Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjatë seancës gjyqësore, subjekti i rivlerësimit kërkoi nga trupa gjykuese të mos përfshijë në hetim dy denoncime të publikut dhe të administrojë në cilësinë e provës dokumente të reja, të depozituara në seancë.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 19.04.2019

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 112, datë 4.3.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Dritan Peka, prokuror, Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vlerëson se, bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, z. Dritan Peka nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 18.04.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr.47, datë 25.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Astrit Faqolli, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor vendosi:
1. Ndryshimin e vendimit nr.47, datë 25.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. 2. Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Astrit Faqolli, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë.
3. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 17.04.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 22, datë 7.6.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit z. Edmond Islamaj, gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Komisioneri Publik, në qëndrimin e tij rreth disa akteve noteriale, të paraqitura rishtazi nga subjekti i rivlerësimit, u shpreh se ato nuk kanë fuqi provuese, pasi nuk janë marrë në zbatim të procedurës së parashikuar në Kodin e Procedurës Civile, për administrimin e thënieve të dëshmitarëve. Komisioneri Publik parashtroi po ashtu se disa akte noteriale të paraqitura, para trupës gjykuese, nga subjekti i rivlerësimit, janë legalizuar në Shqipëri në kundërshtim me ligjin nr. 7829, datë 1.6.1994 “ Për Noterinë”, pasi thëniet e dëshmitarëve janë marrë jashtë territorit të Shqipërisë.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 12.04.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 32, datë 5.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, znj. Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Komisioneri Publik, në prapësimet e tij për analizën financiare të kryer nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, u qëndroi shkaqeve të ankimimit, për të mos konsideruar si të ardhura të ligjshme, të ardhurat që nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin D, pika 3 e aneksit të Kushtetutës dhe nenin 32, pikat 1 dhe 4 e ligjit nr. 84/2016.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 10.04.2019

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 103, datë 5.2.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Donika Prela, magjistrate/prokurore, drejtuese në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vlerëson se, bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, znj. Donika Prela, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë.