Njoftime Publike

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 13.02.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku u shqyrtua ankimi i paraqitur nga ky institucion kundër vendimit nr. 42, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit znj. Antoneta Sevdari, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, aktualisht anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Komisioneri Publik në parashtrimet e çështjes njohu trupën gjykuese me shkaqet e ankimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që në vlerësimin e Komisionerit Publik nuk ka kryer një hetim të plotë, për të vendosur konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 08.02.2019

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Cani, magjistrat/prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe mori në konsideratë rekomandimin e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se, bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, z. Besnik Cani, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 05.02.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit të paraqitur nga ky institucion kundër vendimit nr. 32, datë 5.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit znj. Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në nisje të seancës, njoftoi palët për depozitimin në cilësinë e provës të dy shkresave zyrtare nga: Drejtoria e Tatimeve, Durrës dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës, ku jepet informacion lidhur me tatimin e të ardhurave të babait të ndjerë, të subjektit të rivlerësimit, znj. Alma Brati, për periudhën 1999-2003, si dhe praktikën e regjistrimit të apartamentit në pronësi të saj.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 01.02.2019

Në datë 20.12.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Adnan Kosova, prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Vendimi nr. 90, datë 20.12.2018, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurorit Adnan Kosova, iu njoftua Komisionerëve Publikë më datë 30.1.2019.

Sot, më datë 1.2.2019, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar këtë vendim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 31.01.2019

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 86, datë 17.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Alma Kolgjoka, me detyrë Kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 25.01.2019

Në datë 27.11.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Cani, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Elbasan.

Në datë 25.1.2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ka njoftuar Komisionerëve Publikë vendimin nr. 84, datë 27.11.2018, në lidhje me konfirmimin në detyrë të z. Besnik Cani, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.