Njoftime Publike

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 15 Tetor 2020

Sot, në datën 15.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi problematikën e krijuar pas shpalljes nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 08.10.2020, të thirrjes për aplikim për vendet vakante për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 14 Tetor 2020

Sot me datë 14.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme. Më konkretisht:

Me qëllim dhënien zgjidhje të problematikave në disa gjykata si dhe shërbimit në kohë qytetarëve, Këshilli vendosi caktimin në skemën e delegimit të magjistratëve z. Erjon Çela dhe z. Dritan Hasani dhe caktimin e tyre përkatësisht në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe Korçë, për një afat të caktuar.

Në përputhje me qëllimet dhe objektivat strategjikë për funksionalizimin sa më shpejtë të Gjykatës së Lartë, evadimin e çështjeve gjyqësore të akumuluara, krijimin e një trupe mbështetëse profesioniste, Këshilli vendosi komandimin e znj. Engjëllushe Tahiri, znj. Lorena Çabej, znj. Iva Zemani dhe znj. Enisa Shahini, si ndihmës magjistrate në Gjykatën e Lartë.

Për shkak të mos aplikimit nga magjistratët në procedurat e mëhershme, Këshilli vendosi rihapjen e procedurës së ngritjes në detyrë për gjashtë vende vakante në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe atë të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në vijim të verifkimit të thelluar të kandidatëve për magjistrat për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2020-2021, Këshilli vendosi kualifikimin e kandidatëve znj.Edlira Çota, znj.Ina Yzellari dhe znj.Enkeleda Halilaj.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli vendosi kualifikimin e kandidatëve znj. Iliriana Olldashi dhe znj. Saida Dollani dhe vijimin e procedurës së emërimit në Gjykatën e Lartë, për pozicionet e lira për të cilat kanë aplikuar.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 12 Tetor 2020

Sot me datë 12.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën vendosi përcaktimin e rregullave në procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të rekrutimit të kandidatit për kancelar, kancelarit në detyrë, të kandidatit për këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë dhe ndihmës ligjor në gjykatat e apelit.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 09 Tetor 2020

Sot me datë 09.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën pas shqyrtimit të kritereve ligjore të emërimit, pasurisë dhe figurës vendosi kualifikimin për emërim edhe të kandidatit të fundit, të diplomuar në shkollën e Magjistraturës z. Gentian Jahjolli.

Gjithashtu në vijim të shqyrtimit të thelluar të kritereve ligjore, pasurisë dhe figurës, të kandidatëve për magjistratë, për tu pranuar në Shkollën e Magjistraturës, Këshilli vendosi kualifikimin për të filluar formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për vitin akademik 2020-2021, të pesëmbëdhjetë kandidatëve dhe konkretisht z. Artan Çirraga, z. Estjon Venxha, z. Mikel Hysometaj, z. Romeo Merruko, znj. Eglantina Biba, znj. Eranda Cufo, z. Lirim Bulica, znj. Lumturi Zhupa, znj. Nertila Përrallaj, znj.Entela Selmanaj z. Elvis Sulejmani, z. Fjorald Behari, z. Genci Busho, z. Ilirjan Hysa dhe z. Klajdi Tërova

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 08 Tetor 2020

Këshilli i Lartë Gjyqësor, i vetëdijshëm për rëndësinë që ka rifunksionalizimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për forcimin e shtetit të së drejtës, për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, inkurajon gjyqtarët që përmbushin kriteret formale ligjore dhe që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar duke u konfirmuar në detyrë, të kandidojnë për pozicionet e lira për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 07 Tetor 2020

Sot me datë 07.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme. Më konkretisht:

- Në vijim të procedurave për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë nga radhët e gjyqtarëve, Këshilli vendosi verifikimin e plotësimit të tre kritereve të kandidimit nga znj. Alma Hicka dhe znj. Saida Dollani, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr.87, datë 26.02.2020, dhe vijimin e procedurës së verifikimit për kriteret e tjera ligjore të kandidimit.

- Këshilli vendosi edhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë pranë Gjykatës Administrative të Apelit, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr.188, datë 28.05.2020.

- Këshilli vendosi miratimin e listave emërore të kandidatëve për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë që kanë plotësuar kriteret e pranimit në programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2020-2021.

- Më tej, Këshilli vendosi shpalljen e kërkesës për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve për komandim në Këshillin e Lartë Gjyqësor, për një pozicion në Njësinë e Vlerësimit Etik dhe Profesional të Gjyqtarëve.

- Gjithashtu, Këshilli vendosi komandimin në skemën e delegimit të gjyqtarëve znj. Igerta Hysi dhe z. Laurent Fuçia dhe caktimin e tyre përkatësisht në Gjykatën e Apelit Durrës dhe Gjykatën e Apelit Vlorë, për një afat të caktuar.

- Në përfundim Këshilli vendosi miratimin e nxjerrjes nga përdorimi dhe transferimin kapital të disa aseteve si dhe rishpërndarjen e fondeve për në disa gjykata.