Njoftime Publike

Njoftim për shtyp i datës 04 nëntor i Gjykatës së Lartë

Gjykata e Lartë ka filluar shqyrtimin e çështjeve gjyqësore në seanca publike, sipas kalendarit të planifikuar dhe shpalljeve në faqen zyrtare të kësaj gjykate si dhe ambientet e jashtme të saj. NJOFTIM PËR MEDIAN Gjykata e Lartë ka filluar shqyrtimin e çështjeve gjyqësore në seanca publike, sipas kalendarit të planifikuar dhe shpalljeve në faqen zyrtare të kësaj gjykate si dhe ambjentet e jashtme të saj. Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen e palëve në proces dhe avokatëve, të cilët kanë paraqitur rekurse pranë kësaj gjykate, të konsultohen rregullisht me shpalljet zyrtare që bën Gjykata e Lartë në faqen e saj të internetit www.gjykataelarte.gov.al , “Lista e Çështjeve të Shpallura për Gjykim” si edhe në ambjentet e jashtme të gjykatës (stendat publike).

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 28 Tetor 2020

Sot në datën 28.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon: Pas shqyrtimit të kërkesës së znj. Evjeni Sinojmeri, gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë, për dhënien e lejes shtesë të papaguar, Këshilli vendosi refuzimin e kërkesës. Gjithashtu, pas shqyrtimit të kërkesës për dorëheqje, Këshilli vendosi mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtarin e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar {…}. Në vijim të verifikimit të thelluar të kandidatëve për pranimin në Shkollën e Magjistraturës, Këshilli vendosi kualifikimin e z. Entiljano Spahiu dhe znj.Mevlute Çaushi për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për vitin akademik 2020-2021. Në përfundim, përpara fillimit të ushtrimit të detyrës, nëntëmbëdhjetë magjistratët e caktuar në gjykatat e vendit ditën e djeshme, u betuan mbi Kushtetutë përpara Këshillit, në një ceremoni solemne, duke iu shtuar trupës gjyqësore.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 27 Tetor 2020

Sot në datën 27.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon: Në përfundim të studimeve në Shkollën e Magjistraturës dhe pas kalimit me sukses të kontrollit rigoroz të pasurisë, figurës dhe integritetit personal, Këshilli vendosi të caktojë në pozicion, në disa gjykata të vendit, një grup prej nëntëmbëdhjetë magjistratësh. Vendimmarrja e sotme për caktimin në pozicion të këtij grupi magjistratësh është në fakt një ngjarje shumë e rëndësishme për sistemin gjyqësor dhe publikun, pasi gjykatave të vendit i shtohen profesionistë të rinj dhe me integritet, me vullnet dhe kurajo për të dhënë drejtësinë e kërkuar, duke bërë të mundur funksionimin normal të këtyre gjykatave, evadimin e çështjeve gjyqësore dhe shërbimin në kohë dhe me cilësi ndaj publikut. Konkretisht magjistratët e caktuar në pozicion janë si mëposhtë vijon: 1. Znj.Anjeza Buzo, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë; 2. Znj.Alda Sadiku, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin; 3. Znj.Thomaidha Roça, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë; 4. Znj.Jeta Qinami, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier; 5. Znj. Sonila Hoxha, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier; 6. Z. Fatmir Ndreu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë; 7. Znj. Arjeta Lika, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë; 8. Z. Alban Veçani, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë; 9. Znj. Entela Gjoni, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat; 10. Znj. Suela Lika, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat; 11. Z. Gjergji Baçi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet; 12. Znj. Marjola Beluli, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet; 13. Z. Aulon Pashaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë; 14. Znj. Arnisa Këlliçi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë; 15. Z. Adrian Shega, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë; 16. Z. Gentian Jahjolli, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër; 17. Znj. Maela Alicanaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier; 18. Z. Enkel Peza, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë; 19. Znj. Miranda Nakaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë; Në vijim Këshilli vendosi përfundimin e kohëzgjatjes së komandimit si ndihmës magjistrat pranë Gjykatës së Lartë, të z.Florjan Kalaja, komandimin e tij në skemën e delegimit të gjyqtarit dhe caktimin si gjyqtar i skemës së delegimit, në Gjykatën e Apelit Durrës. Gjithashtu, Këshilli vendosi përfundimin e kohëzgjatjes së komandimit si ndihmës magjistrat pranë Gjykatës së Lartë, të z.Engert Pëllumbi, komandimin e tij në skemën e delegimit të gjyqtarit dhe caktimin si gjyqtar i skemës së delegimit, në Gjykatën e Apelit Vlorë. Në përfundim të shqyrtimit në seancë dëgjimore publike të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Apelit {…}, Këshilli vendosi pranimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe shkarkimin nga detyra të magjistratit {…}.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 21 Tetor 2020

Sot, në datën 21.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Në vijim të shqyrtimit në seancë dëgjimore publike të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, Këshilli vendosi caktimin e datës 5 Nëntor 2020 për seancën e radhës, me qëllim dhënien e mundësisë palëve të njihen me dokumentacionin e dosjes personale të magjistratit.

Me qëllim krijimin e trupës ndihmëse dhe mbështetëse, profesioniste dhe me integritet, lehtësimit të punës së magjistratëve dhe shërbimit në kohë qytetarëve, Këshilli vendosi krijimin e njësive të shërbimit ligjor pranë secilës gjykatë të apelit, fillimin e procedurës së verifikimit të kancelarëve në detyrë, të kandidatëve për këshilltar dhe ndihmës ligjor që do pranohen në shërbimin civil gjyqësor, si dhe të kandidatëve që kanë plotësuar kriteret për pranimin në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për këshilltar dhe ndihmës ligjor, për vitin akademik 2020-2021.

Në përfundim të procedurave ligjore të verifikimit të kandidatëve, Këshilli vendosi kualifikimin e znj. Klodiana Veizi dhe vijimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Më tej, Këshilli vendosi caktimin e strukturës së posaçme për regjistrimin, administrimin dhe përpunimin e formularit të vetëdeklarimit, në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Në përfundim, Këshilli vendosi miratimin e pjesëmarrjes së gjyqtarëve në trajnimin vazhdues pranë Shkollës së Magjistraturës për periudhën Tetor-Dhjetor 2020, si dhe ndërprerjen e marrëdhënieve në shërbimin civil gjyqësor të ndihmësit ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë {…}, për shkak të dorëheqjes.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 20 Tetor 2020

Sot në datën 20.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Pas fillimit të shqyrtimit të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedimin disiplinor në ngarkim të {…}, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit {…}, Këshilli vendosi t’i japë afat subjektit të procedimit deri në datën 27.10.2020, për t’u njohur me aktet.

Pas përfundimit të procedurës së verifikimit të thelluar të kritereve ligjore të pranimit, pasurisë dhe figurës, kualifikimit të tyre në këto procedura, Këshilli vendosi emërimin gjyqtar të z. Alban Veçani, z. Adrian Shega z. Aulon Pashaj, z. Enkel Peza, z. Fatmir Ndreu, z. Gentian Jahjolli, z. Gjergji Baçi, znj. Alda Sadiku, znj. Anjeza Buzo, znj. Arjeta Lika, znj. Arnisa Këlliçi, znj. Entela Gjoni, znj. Jeta Qinami, znj. Maela Alicanaj, znj. Marjola Beluli, znj. Miranda Nakaj, znj. Sonila Hoxha, znj. Suela Lika dhe znj. Thomaidha Roça. Gjithashtu, në vijim të procedurave të kualifikimit dhe emërimit, Këshilli vendosi shpalljen e pozicioneve të lira në gjykatat e vendit në funksion të caktimit në pozicion të këtyre magjistratëve.

Në vijim të procedurave të verifikimit të thelluar të kushteve dhe kritereve ligjore, pasurisë dhe figurës, Këshilli vendosi kualifikimin për pranimin në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për vitin akademik 2020-2021, të znj. Alba Ngresi, z. Aldi Kareco, z. Ervin Kore dhe z. Armand Shkurta.

Në përfundim të procedurave ligjore të verifikimit të plotë të kandidatëve nga radhët e gjyqtarëve, me qëllim funksionalizimin e plotë të Gjykatës së Lartë, Këshilli vendosi kualifikimin e z. Sandër Simoni dhe z. Sokol Binaj, si dhe vijimin e procedurës së emërimit të tyre në Gjykatën e Lartë.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 19 Tetor 2020

Sot në datën 19.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Në vijim të procedurës së verifikimit të thelluar të kritereve ligjore të pranimit, pasurisë dhe figurës, Këshilli vendosi kualifikimin e kandidatëve për magjistrat për pranimin në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2020-2021, përkatësisht z. Renis Sheshi, z. Orald Hoxha, znj. Dorina Alushi, znj. Ajshe Xhafa, znj. Anisa Brinja, znj. Dorentina Mulaj, znj. Elona Mërtiri dhe znj. Edona Vajushi.

Në përfundim të procedurave ligjore të verifikimit të plotë të kandidatëve nga radhët e gjyqtarëve, me qëllim funksionalizimin e plotë të Gjykatës së Lartë, Këshilli vendosi kualifikimin e znj. Nertina Kosova dhe z. Artur Kalaja, si dhe vijimin e procedurës së emërimit të tyre në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu, në vijim të procedurës së verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore, të kandidatit të fundit nga radhët e juristëve të spikatur, Këshilli vendosi t`i caktojë një afat pesë ditor z. Darjel Sina, për të dhënë shpjegime lidhur me plotësimin e kushteve dhe kritereve për anëtar të Gjykatës së Lartë të parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Më tej, në përfundim të procedurës së verifikimit, Këshilli vendosi kualifikimin e kandidates znj. Ornela Naqellari dhe vijimin e procedurës së emërimit në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Në përfundim, Këshilli vendosi komandimin e magjistrates znj. Zeta Terpollari në pozicionin e nëpunësit përgjegjës për vlerësimin, në Njësinë e Vlerësimit Etik dhe Profesional të Gjyqtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor si dhe mbarimin e statusit të magjistratit, për {…}, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}.