Njoftime Publike

Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 29 Janar 2020

Sot më datë 29.01.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen e radhës e cila filloi me ceremoninë publike të betimit të 15 gjyqtarëve të rinj të cilët kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2018-2019.

Në fjalën përshëndetëse, Kryetarja e Këshillit, znj. Naureda Llagami, u shpreh se gjyqtarët që betohen sot janë brezi i dytë i gjyqtarëve për të cilët Këshilli ka kryer një verifikim të thelluar, të pasurisë dhe figurës, përpara emërimit të tyre. Proces të cilin gjyqtarët nën betim e kaluan me sukses.

Në këtë mënyrë, së bashku me brezin e parë të magjistratëve të emëruar në Korrik 2019, në më pak se një vit, sistemit gjyqësor shqiptar i shtohen 25 gjyqtarë me integritet dhe aftësi të larta profesionale.

Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 23 Janar 2020

Sot më datë 23.01.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime të rëndësishme.

Duke mbajtur në konsideratë detyrimin ligjor dhe pas analizimit të situatës në të cilën është sistemi gjyqësor, ndikimin që ka implementimi i reformës në drejtësi dhe mundësisë që ka Shkolla e Magjistraturës, Këshilli miratoi numrin prej 40 kandidatë për magjistratë dhe 25 kandidatë për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë, që do të pranohen në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2020-2021.

Në vijim Këshilli shqyrtoi dhe miratoi kërkesat për dorëheqje të gjyqtarëve A.L, N.GJ. dhe P.Dh. dhe mbarimin e statusit të tyre të magjistratit, si dhe konfirmimin si ndihmësmagjistrat me afat 1 (një) vjeçar pranë Gjykatës së Lartë të z.E.P.

Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 21 Janar 2020

Sot, më datë 21.01.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën diskutoi lidhur me situatën e krijuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të cilat funksionojnë me organikë jo të plotë sipas ligjit.

Në këtë kuadër, Këshilli pasi shqyrtoi edhe kërkesat e këtyre gjykatave për të patur një qëndrim lidhur me gjyqtarët e gjykatave me jurdiksion të përgjithshëm të cilët janë caktuar më herët për gjykimin e çështjeve të veçanta në ish-Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe ish-Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, vendosi që këta gjyqtarë të vazhdojnë të shqyrtojnë çdo kërkesë proçeduriale që lidhet me të drejtat dhe liritë themelore të të pandehurit/ve, në çështjet e veçanta në gjykatat e posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 20 Janar 2020

Sot më datë 20.01.2020, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) Znj. Naureda Llagami, firmosi Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Qendrën për Ndërmjetësim të Integruar në Berlin (Berlin Center for Integrated Mediation – CSSP). Kjo marrëveshje vjen në kuadër të zbatimit të projektit “Forcimi i sistemit të ndërmjetësimit në Shqipëri”, financuar nga Ambasada e Mbretërisë Norvegjeze në Prishtinë.

Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 16 Janar 2020

Sot më datë 16.01.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën diskutoi në lidhje me situatën e krijuar në Gjykatën e Apelit Korçë, e cila për shkak të mungesës së numrit minimal të gjyqtarëve në detyrë konsiderohet jashtë funksionit.
Pas diskutimeve, në përmbushje të funksionit te tij për të siguruar përgjegjshmëri dhe mbarëvajtje të pushtetit gjyqësor, Këshilli, vendosi që nevojat e Gjykatës së Apelit Korçë, të trajtohen në përputhje me vendimin nr. 30 datë 14.02.2019, duke caktuar nëpërmjet shortit gjyqtarë nga gjykata të tjera të apelit për gjykuar në periudhë 10 ditore pranë kësaj gjykate.