Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 10 Qershor 2022
Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi sot më datë 10.06.2022, mbledhjen plenare dedikuar “Hartës së Re Gjyqësore”. Në këtë mbledhje të veçantë, Këshilli miratoi raportin vlerësues përfundimtar të Grupit Ndërinstitucional të Punës mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave. Miratimi i aktit të “Hartës së Re Gjyqësore” shënon përmbylljen e një pune 3-vjeçare të Grupit Ndërinstitucional të Punës, i cili është mbështetur dhe asistuar intensivisht nga ekspertët e Këshillit të Evropës, EWM dhe INL. Në aktin e miratuar u reflektuan sugjerimet dhe opinionet e adresuara gjatë procesit të konsultimeve publike të organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, nga përfaqësues të dhomave vendore të avokatisë, Prokuroria e Përgjithshme, gjyqtarë dhe nëpunës civil gjyqësorë, si dhe organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit. Në bazë të këtyre konsultimeve GNP vendosi që reforma e “hartës gjyqësore” në Shqipëri të synojë bashkimin e gjykatave më të vogla dhe më pak efikase. Propozimi mbi “Hartën e Re Gjyqësore” është hartuar duke u bazuar në standardet më të mira ndërkombëtare. Mbështetur në metodologjinë CEPEJ, propozimi mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore krijon një qasje novatore që rrit efiçencën e sistemit gjyqësor për qytetarët, realizon shpërndarjen e drejtë të ngarkesës së punës midis gjykatave dhe gjyqtarëve dhe nxit specializimin, me pasojë reduktimin e kohës së nevojshme për shqyrtimin e një çështjeje e dhënies së një drejtësie më cilësore.