Njoftime Publike

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 4 Prill 2022

Sot në datën 04 Prill 2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës ku shqyrtoi çështjet si vijon:
Këshilli vendosi miratimin e “Komente dhe sugjerime mbi rezultatet e vlerësimit paraprak nga Shkolla e Magjistraturës të kandidateve që kanë aplikuar për pranimin në formimin fillestar, profili gjyqtar, për vitin akademik 2022-2023”.
Në vijim, Këshilli vendosi miratimin e listave emërore të kandidatëve që plotësojnë si dhe të atyre që nuk plotësojnë kriteret për të marrë pjesë në provimin e pranimit në Programin e Formimit Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2022 – 2023, për Ndihmës Ligjorë.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 9 Mars 2022

Sot, në datën 09.03.2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Këshilli vendosi miratimin si anëtare e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor të anëtares, znj. Marsela Dervishi, e zgjedhur me shortin publik të datës 08.03.2022 duke e shoqëruar me ceremoninë e betimit. Këshilli i Lartë Gjyqësor, miratoi ngritjen dhe përbërjen e Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kandidatëve për provimin e pranimit në Programin e Formimit Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për kancelar ose për ndihmës ligjor për vitin akademik 2022-2023. Ky komision përbëhet nga: z. Ilir Rusi, z. Ridvan Hado dhe znj. Irena Plaku. Pas përtëritjes së KLGJ-së me dy anëtarë të rinj ishte i domosdoshëm ndryshimi i përbërjes së Komisionit të Përkohshëm për vlerësimin etik dhe profesional në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, ku si anëtare u zgjodh znj. Yllka Rupa. Ndërkohë përmes procedurës së shortit u zgjodh anëtar zvendësues në përbërjen e Komisionit të Përkohshëm për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankimit ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari, për vitin 2022, z. Ilir Rusi. Këshilli i Lartë Gjyqësor, miratoi plotësimin e tre kritereve të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë të kandidatëve: znj. Altina Nasufi, znj. Enkelejda Metaliaj dhe z. Valbon Çekrezi. Këshilli gjithashtu, miratoi disa shtesa në Vendimin nr. 44, datë 31.01.2022 të KLGj-së “Për përfundimin para afatit të shërbimit në skemën e delegimit, për gjyqtaren znj. Igerta Hysi”.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 2 Mars 2022

Sot, në datën 02.03.2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën u shqyrtuan çështjet si më poshtë vijojnë:
Këshilli deklaroi mbarimin e mandatit të dy anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Maksim Qoku dhe z. Erjon Muharremaj dhe zëvendësimin e tyre me dy anëtarët më të rinj, z. Ilir Rusi dhe znj. Yllka Rupa, të zgjedhur nga Kuvendi nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi zgjedhjen me shumicë votash të z. Ilir Rusi, në funksionin e zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Këshilli miratoi një ndryshim në vendimin e tij nr. 13, datë 18.01.2019 “Mbi ngritjen dhe përbërjen e komisioneve të përhershme”, i ndryshuar me vendimin nr. 601, 23.12.2021, të Këshillit të Lartë Gjyqësor”.
Pas plotësimit me 10 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, Këshilli ka vijuar angazhimin e tij lidhur me funksionalizimin e plotë të kësaj gjykate duke vendosur dërgimin e propozimit për emërim në Gjykatën e Lartë, të kandidatit z. Gentian Medja, pranë Presidentit të Republikës për dekretim.
Gjithashtu, Këshilli vendosi përsëritjen e komandimit të gjyqtares znj. Esmerilda Habili në pozicionin e nëpunësit përgjegjës për vlerësimin, në Njësinë e Vlerësimit Profesional dhe Etik të Gjyqtarëve, në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 4 Shkurt 2021.

Sot, në datën 04.02.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Në funksion të formimit profesional të trupës së nëpunësve civilë gjyqësor, me qëllim plotësimin e pozicioneve të lira me profesionistë të kualifikuar, Këshilli vendosi përbërjen e Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore të pranimit të kandidatëve për këshilltarë ligjorë, ndihmës ligjorë dhe kancelarë, që do të pranohen për të ndjekur programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2021-2022.
Në përputhje me dispozitat ligjore, Këshilli vendosi miratimin e raportit vjetor të veprimtarisë për vitin 2020, të Komisionit të Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit.
Në vijim të procedurave për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë nga radhët e gjyqtarëve, Këshilli vendosi përfundimin e procedurës për kandidaten znj.Saida Dollani, për tre pozicionet e lira në fushën e të drejtës penale, të shpallura me vendimet nr.242, nr.243 dhe nr.244, datë 09.07.2020.
Në përfundim, në kuadër të procesit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve si dhe atij të ngritjes në detyrë, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së vlerësimit periodik dhe atij të përshpejtuar për pesë gjyqtarë.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 29 Janar 2021.

Sot, në datën 29.01.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjen si vijon:
Në vijim të shyrtimit në seancë dëgjimore publike të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, mbi procedimin disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, pas shqyrtimit të kërkesave paraprake të subjektit nën procedim për dhënie kohe shtesë për njohjen me dokumentacionin e plotë objekt procedimi, si dhe për të garantuar praninë në seancë të përfaqësuesit të zgjedhur, në funksion të të drejtës efektive të mbrojtjes dhe procesit të rregullt ligjor, Këshilli vendosi të shtyjë seancën dëgjimore me datë 16.02.2021 ora 11.00. ​

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 28 Janar 2021.

Sot në datën 28.01.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Në vijim të procesit të nisur tashmë për vlerësimin e punës së gjyqtarëve si dhe në funksion të ngritjes në detyrë të tyre, Këshilli vendosi miratimin e raportit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarit z. Sandër Simoni, për periudhën 2013-2016 dhe për vitin 2019.
Në vijim, me qëllim nisjen e funksionimit të Qendrës së Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë, Këshilli vendosi caktimin e znj. Naureda Llagami, njëkohësisht anëtare dhe kryetare të Bordit Drejtues të këtij institucioni.
Më tej, pas vlerësimit të situatës aktuale të sistemit gjyqësor, ndikimit në vazhdim nga implementimi i reformës në drejtësi, kapaciteteve të Shkollës së Magjistraturës, në përputhje me vizionin afatmesëm dhe afatgjatë të sistemit gjyqësor, Këshilli vendosi caktimin e numrit të kandidatëve për magjistratë, ndihmës dhe këshilltarë ligjorë, që do të pranohen në programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2021-2022.
Në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesave të disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta.