Njoftime Publike

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 26.07.2018

Sot, më datë 26.7.2018, Komisioneri Publik, në ushtrim të funksionit të tij kushtetues, depozitoi pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ankimin ndaj vendimit nr. 24, datë 13.6.2018, për subjektin e rivlerësimit z. Bashkim Dedja.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe mori në konsideratë rekomandimin e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, z. Bashkim Dedja, nuk arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 20.07.2018

Në datë 13.7.2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ka njoftuar Komisionerëve Publikë vendimin nr. 24, datë 13.6.2018, në lidhje me konfirmimin në detyrë të z. Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Në të njëjtën datë, 13.7.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar këtë vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 16.07.2018

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku do të shqyrtohej ankimi i paraqitur nga ky institucion, ndaj vendimit nr. 05, datë 23.3.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit znj. Mirela Fana, ish-anëtare e Gjykatës së Lartë.

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pas verifikimit të pranisë së palëve pjesëmarrësve në gjykim, në mungesë të subjektit të rivlerësimit, vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore më datë 10.9.2018, me qëllim rinjoftimin e akteve znj. Mirela Fana.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 12.07.2018

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 22, datë 7.6.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Edmond Islamaj, gjyqtar në Gjykatën e Lartë.