Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 30 Mars 2020
Sot, në datën 30.03.2020 Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në respekt të plotë të detyrimeve të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për shmangien e përhapjes së virusit COVID-19, duke e realizuar përmes platformës elektronike “Microsoft Teams”, me asistencën teknike të Projektit EURALIUS V.
Këshilli miratoi Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet, KLGJ, Projektit Drejtësi për të Gjithë (USAID) dhe Gjykatës së Lartë. Kjo nismë e shumëpritur, vjen menjëherë pas dekretimit nga Presidenti i Republikës të 3 anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, dhe ka për qëllim uljen e numrit të çështjeve të prapambetura në këtë gjykatë, duke synuar dhënien e një drejtësie të shpejtë dhe pa vonesa për qytetarët.